
Transportonin drejt Kakavijës 14 emigrantë nga vendet e treta, me qëllim dhënien ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, shpallet në kërkim një 22-vjeçar dhe vijon puna për identifikimin e autorit tjetër.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “The night agents”, në fshatin Ballaj, Kavajë, u konstatuan dy automjetet e dyshuara që transportonin emigrantë.
Në momentin e ndërhyrjes së shërbimeve të policisë, drejtuesit e automjeteve nuk i janë bindur urdhrit të Policisë për të ndaluar por kanë shtuar shpejtësinë dhe duke përfituar nga errësira kanë braktisur automjetet dhe janë larguar me shpejtësi.
Nga veprimet hetimore të kryera nga Sektori për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Durrës, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kavajë, u identifikua dhe u shpall në kërkim drejtuesi i njërit prej automjeteve Opel shtetasi E. M., 22 vjeç, banues në Fier, për veprën penale “Dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”. Si dhe vijon puna për identifikimin e drejtuesit të automjetit tjetër tip Audi.
Emigrant nga Nepali dhe India të cilët u proceduan penalisht për veprën penale “Kalim i paligjshëm i kufirit”, kishin hyrë në mënyrë të paligjshme nga kufiri jeshil me Malin e Zi me destinacion Greqinë.



