
Gjykata e Fierit ka vendosur sekuestro preventive për tre llogari bankare me vlerë 100 mijë euro, në emër të nënës së Rando Hodallarit, Lumturi Çervenaku.
Ky i fundit rezulton i dënuar në Greqi për trafik droge dhe drejtues i një grupi kriminal.
Ky sekuestrim është kryer në kuadër të procedimit penal të regjistruar për veprën penale të “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”.
Sekuestrimi i llogarive bankare është bazuar në të dhëna të arsyeshme që provojnë se këto pasuri burojnë nga të ardhura të fituara si pasojë e aktivitetit kriminal në fushën e narkotikëve të kryer në vazhdimësi nga shtetasi Rando Hodollari në shtetin grek.
Hodollari, u arrestua më 22 janar të 2018-ës, bashkë me 3 shqiptarë të tjerë, të cilët dyshohet se kishin krijuar grupin kriminal prej fillimit të vitit 2017.
Po ashtu u tha se kapoja i grupit është 27-vjeçari Rando Hodollari, ndërsa zëvendësi i tij ishte 31-vjeçari Spartak Zene.
Në atë kohë mediat greke raportuan se Hodollari, i cilësuar si kreu i grupit, ka rezultuar i shpallur në kërkim në Greqi, i dënuar me 10 vjet burg për trafik droge. Gjithashtu ai ka qenë i dënuar më parë për tentativë vrasjeje.



