Policia e Shkodrës ka njoftuar se si rezultat i kërkimeve është bërë i mundur lokalizimi dhe arrestimi i një 21-vjeçar, i akuzuar për vrasjen e shtetasit V. F., kryer pas një konflikti të çastit, në fshatin Hot i Ri, rreth 1 vit më parë.
Për shtetasin L. M., Gjykata e Shkodrës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale "Vrasja me dashje", “Mbajtje pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.
21-vjeçari akuzohej se në bashkëpunim me dy vëllezërit e tij, të vënë në pranga nga Policia, ka vrarë shtetasin V. F., 33 vjeç.
Në lidhje me këtë rast, Policia ka vënë në pranga dhe shtetasin E. D., për veprat penale "Përkrahja e autorit të krimit", “Moskallëzimi i krimit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, si dhe po punon për kapjen e shtetasit A. M., të kërkuar për të njëjtat vepra penale.
Pas ngjarjes, nga kontrollet në lokalin në afërsi të vendit ku u krye vrasja, Policia gjeti dhe sekuestroi një sasi lënde narkotike cannabis sativa, në trajtë boçeje, që dyshohet se posedohej nga 5 shtetasit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.



