
Një atentat me armë zjarri ka ndodhur mbrëmjen e kësaj të hëne në Bulqizë, ku shënjeshtra ka qenë një 29-vjeçar.
Sipas policisë në rrugën që lidh fshatin Godvi me fshatin Peladhi, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit "Land Rover" me targa AA 489 RA, që drejtohej nga shtetasi F.T, 29 vjeç, banues në fshatin Peladhi. "Drejtuesi i automjetit nuk ka ndaluar, por është larguar nga rruga që lidh fshatin Godvi me fshatin Peladhi, rreth 500 metra nga vendi i ngjarjes e më pas ka lënë automjetin në anë të rrugës", dhe ka njoftuar policinë.
Nga të shtënat drejtuesi i automjetit nuk ka marrë asnjë lëndim, ndërsa 29-vjeçari levizste i vetëm me automjet. Nga kqyrja paraprake e automjetit janë dalluar dy shenja plumbi, ndërkohë në vendin e ngjarjes janë sekuestruar disa gëzhoja.
Forca të shumta policore të mbështetura dhe nga forcat e policisë së Drejtorisë Vendore Dibër, kanë ngritur pika të shumta kontrolli, po krehin zonën për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.
Në lidhje me këtë ngjarje po hetohet intensivisht, pasi personi i dëmtuar mbart rekorde të theksuara kriminale dhe penale.



