
Interpol Tirana ka bërë ekstradimin nga Greqia e një 29-vjeçari, i akuzuar për rrëmbim personi me qëllim dhenie të një shume parash në këmbim të lirimit. “Nga Interpol Tirana u krye ekstradimi nga Athina/Greqi drejt vendit tonë, i shtetasit shqiptar B. Xh., 29 vjeç, lindur në Burrel”, njoftoi policia.
Shtetasi B. Xh. ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga ZQK Interpol Tirana dhe falë shkëmbimit të informacionit që dispononte Departamenti i Policisë Kriminale dhe Interpol Tirana për vendndodhjen e këtij personi, në bashkëpunim me Interpol Athinën u bë e mundur kapja dhe arrestimi i tij me qëllim ekstradimi drejt Shqipërisë. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Krujë i ka vendosur shtetasit B. Xh., masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”.
Ngjarja
Shtetasi B. Xh., në bashkëpunim me një person tjetër, ka rrëmbyer në qytetin e Sarandës, në vitin 2019, shtetasin me inicialet B. Z. dhe e ka mbajtur peng në Fushë-Krujë. Rrëmbyesit i kërkuan familjes së personit të rrëmbyer 4000 euro për lirimin e pengut. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Athinën u bë i mundur ekstradimi i tij drejt vendit tonë.



