Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Lugina e Errët”, në kuadër të goditjes së veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së pronës dhe armëmbajtjes pa leje.
Sipas njoftimit zyrtar, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 kanë bërë të mundur identifikimin, kapjen në flagrancë dhe arrestimin e shtetasit A. K., 53 vjeç, banues në Durrës, i cili dyshohet se po përgatitej të kryente një vjedhje banese në zonën e Farkës.
Gjatë ndërhyrjes policore, 53-vjeçari u lokalizua dhe u vu në pranga, ndërsa gjatë kontrollit iu gjetën dhe u sekuestruan një armë zjarri pistoletë me municion luftarak, si dhe mjete të dyshuara për kryerjen e vjedhjeve, përfshirë kaçavida, pinca, doreza, maskë dhe kapele.
Sipas Policisë, i arrestuari rezulton me precedentë të mëparshëm kriminalë për vepra penale kundër personit dhe pronës.
Nga veprimet hetimore dyshohet se ai është autor edhe i dy rasteve të tjera vjedhjesh ose tentativash për vjedhje në zonën e Farkës.
Konkretisht, më 31 maj 2026 dyshohet se ka vjedhur një shumë parash në banesën e një shtetasi, ndërsa më 5 qershor 2026 dyshohet se ka tentuar të kryejë vjedhje në një tjetër banesë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.



