
Nëntë persona janë arrestuar në Kosovë nën dyshimet për kontrabandë nafte dhe pastrim parash, në një hetim që lidhet me një skemë të dyshuar të furnizimit me karburant nga Shqipëria drejt Prishtinës.
Sipas hetimeve paraprake të Prokurorisë së Prishtinës, skema dyshohet se ka qenë aktive nga viti 2021 deri pak javë më parë.
Dyshimet lidhen me transportin e naftës me autobote, ku ngarkesat dyshohet se nuk përputheshin me dokumentacionin, pasi disa mjete transporti pretendohet se mbusheshin pjesërisht me naftë dhe pjesërisht me ujë.
Në kuadër të hetimit, autoritetet kosovare kanë identifikuar edhe kompaninë Standard Petrol sh.p.k., me seli në Durrës, si një nga subjektet e përfshira për t’u verifikuar.
Prokuroria e Prishtinës ka kërkuar ndihmë juridike nga autoritetet shqiptare për të sqaruar procedurat e kryera nga doganat në Shqipëri, përfshirë kontrollin e faturave, dokumentacionit shoqërues dhe nëse autobotet janë kontrolluar fizikisht gjatë kalimit kufitar.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar përmasat e skemës dhe përgjegjësitë e personave apo subjekteve të përfshira.



