
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore del me tjetër deklaratë lidhur me dy ngjarjet e fundit, ku një polic vrau kolegun në komisariatin nr.3 dhe një efektiv i policisë plagosi një qytetar në ambientet e jashtme të një lokali.
Në deklaratë thuhet se Drejtoria Rajonale e AMP-së Tiranë nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, pas kryerjes së veprimeve të para hetimore ka bërë arrestimin në flagrancë të shtetasit Ludian Zaimi, me detyrë oficer i patrullës përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr. 3 Tiranë për kryerjen e veprës penale “Vrasje me paramendim”, parashikuar nga neni 78 i Kodit Penal.
Arrestimi i punonjësit të policisë Ludian Zaimi u krye pasi më datë 23.05.2022, në ambientet e brendshme të Komisariatit të Policisë Nr. 3 Tiranë, ai ka qëlluar disa herë me armën e shërbimit pas një konflikti për motive të dobëta, punonjësin e policisë Çaush Saliasi, me detyrë oficer i patrullës përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr. 3 Tiranë, i cili si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë në spital.
Grupi i posaçëm hetimor vijon kryerjen e veprimeve procedurale për sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin me prova ligjore të veprimeve të autorit të veprës penale, ndërsa materialet hetimore do dërgohen pranë Prokurorisë se Rrethit Gjyqësor Tiranë për hetime te mëtejshme.
Gjithashtu, Drejtoria Rajonale e AMP-së Tiranë nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka referuar materialet proceduriale për arrestimin në flagrancë të punonjësit të policisë Inspektor Lutfi Gjyla, 48 vjeç, me detyrë trupë shërbimi në Repartin e N.SH. Vaqarr Tiranë
Arrestimi i tij u krye pasi më datë 23.05.2022, në Sallën e Komandimit është njoftuar për të shtëna me armë në një Bar Kafe në rrugën “Llazi Miho”. Pas mbërritjes në vendngjarje dhe veprimeve të para hetimore ka rezultuar se shtetasi Lutfi Gjyla, ka qenë duke konsumuar pije alkoolike në një Bar Kafe dhe në gjendje të dehur, ka përdorur armën e tij të shërbimit duke qëlluar në drejtim të shtetasit Murteza Lika, në kohën që ishte i ulur në të njëjtën tavolinë me të.
Si pasojë, shtetasi Murteza Lika ka marrë dëmtim në këmbën e majtë dhe është dërguar menjëherë në spitalin ushtarak, ku ka marrë ndihmën mjekësore dhe aktualisht është jashtë rrezikut për jetën.
Për sa më sipër, shtetasi Lutfi Gjyla u arrestua në flagrancë për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”, parashikuar nga neni 88 i Kodit Penal.
Punonjësit e policisë të identifikuar si autorë të dyshuar të ngjarjeve të mësipërme, pas arrestimit të tyre në kushtet e flagrancës, aktualisht ndodhen në dhomat e sigurisë në DVP Tiranë.
AMP thotë në mbyllje se mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.



