Pasi ka marrë dëshminë paraprake të efektivit të forcave “Shqiponja”, Drejtoria e Policisë Tiranë mësohet se është distancuar nga kryerja e hetimeve në këtë ngjarje. Hetuesit për krimin në polici ia kanë kaluar dosjen SHÇBA-së dhe Prokurorisë së Tiranës. Nga prokuroria është ngritur një grup hetimor ashtu edhe nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Polici, ndërsa ende nuk është njoftuar një masë ndaluese ndaj efektivit. Burimet thanë që pritet të mblidhen provat në vendin e ngjarjes dhe të analizohen dëshmitë e marra, për të kryer një veprim ndaj efektivit.
Ndërkohë, efektivi i “Shqiponjave”, është shprehur se gjatë ndjekjes i ka bërë thirrje 25-vjeçarit për të ndaluar. Mosbindja e 25-vjeçarit ka bërë më pas që efektivi i policisë ta qëllojë për vdekje atë me dy plumba, një në shpatur dhe një në kokë.
Por a ka vepruar punonjësi i Policisë së Shtetit konform rregullave? Kush i dha urdhër policit të qëllonte me armë një person që po largohej me vrap? A pati shkëmbim zjarri mes palëve që detyroi policing të qëllonte për vdekje 25-vjeçarin?
Të gjitha këto pikëpyetje të ngritura në këtë ngjarje, qëndrojnë në pritje të një përgjigje nga ana e Policisë së Shtetit. Ndërkohë, nga burimet mësohet që arma e dyshuar se i përket viktimës, është gjetur rreth 100 metra larg vendit ku efektivi i “Shqiponjave” qëlloi Klodjan Rashën.
Sakaq, të afërmit e viktimës kanë mohuar që Klodjani të mbante armë me vete dhe se mbrëmjen e djeshme kishte dalë vetëm për të pirë kafe. Po ashtu, ata kanë thënë se 25-vjeçari ka patur më herët probleme me shëndetin mendor, ndërsa gjendja e tij ishte përmirësuar kohët e fundit. Sipas tyre, ai nuk ka shfaqur asnjë problem. Pas ngjarjes, familja Rasha me banim në zonën e Laprakës, tashmë ka hapur dyert e mortit nuk presin vetëm një përgjigje. Pse u vra Klodjan Rasha?



