Tre persona janë arrestuar në Malësia e Madhe në kuadër të një operacioni kundër kultivimit të lëndëve narkotike.
Sipas policisë, në fshatin Bajzë u konstatuan platforma polistiroli ku ishin kultivuar filiza të dyshuar kanabisi, me qëllim mbjelljen e tyre në tokë. Gjatë operacionit, një pjesë e filizave u asgjësuan, ndërsa të tjerë u sekuestruan si provë materiale.
Operacioni policor i koduar “Faza e parë” u finalizua nga strukturat e Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Malësi e Madhe dhe të mbështetur nga Forcat e Posaçme Operacionale dhe “Shqiponja”.
Si rezultat i ndërhyrjes, u evidentua një numër i konsiderueshëm filizash të kultivuar në platforma polistiroli. Platformat u shkatërruan në vend, ndërsa një pjesë u sekuestrua nga grupi hetimor.
Si autorë të dyshuar të kësaj veprimtarie kriminale u arrestuan shtetasit Ersad Qerimaj, 29 vjeç, Bora Qerimaj, 23 vjeçe dhe Adelina Qerimaj, 26 vjeçe, të tre banues në Bajzë dhe me lidhje familjare me njëri-tjetrin.
Në vijim të operacionit, në fshatin Gruemirë Çezmë, në një magazinë u zbuluan platforma të tjera polistiroli me filiza dhe fara të dyshuara kanabisi.
Për këtë rast u shpall në kërkim shtetasi B. R., 52 vjeç, banues në Gruemirë Çezmë, ndërsa nisi procedimi penal për shtetaset E. R., 41 vjeçe dhe Z. R., 75 vjeçe.
Policia vijon punën për kapjen e personit në kërkim, si dhe për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër për veprime të mëtejshme.



