Një grua 41 vjeç nga Gushterica e Poshtme e komunës së Graçanicës në Kosovë, ka ndërruar jetë sot në Qendrën Spitalore Klinike në Prishtinë, pasi burri i saj e kishte rrahur duke i shkaktuar lëndime të rënda.
M.Zh., e lindur më 1983, ishte transferuar në Prishtinë nga Qendra Spitalore Klinike në Graçanicë, ku u pranua në gjendje të rëndë për jetën, më 31 korrik.
Policia e Kosovës ka konfirmuar se bashkëshorti i saj me iniciale D.Zh. është ndaluar dhe se ka nisur hetimet për këtë rast.
Gjatë muajit prill, dy gra u qëlluan nga burrat e tyre brenda pak ditësh.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani më pas u bëri thirrje institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë, shoqërisë civile, qytetarëve, grave dhe burrave që të punojnë së bashku për të ndalur dhunën me bazë gjinore, “e cila njollos vendin tonë dhe që mund ta shkatërrojë atë nga brenda”.
Nga viti 2010 deri në prill të vitit 2024, në Kosovë janë vrarë 57 gra.



