Në Qarkun e Dibrës është aktive vetëm një vatër zjarri, në zonën e Lurës.
Vatra vijon prej dy ditësh brenda territorit të Parkut Kombëtar të Lurës dhe ka përfshirë sipërfaqe të konsiderueshme kullotash, si dhe pyje me pisha dhe bredh.
Gjatë ditës së djeshme, në operacionin për shuarjen e zjarrit u angazhuan rreth 100 forca nga Bashkia, strukturat e Emergjencave Civile, shërbimet zjarrfikëse dhe vullnetarë.
Në ndihmë të operacionit u angazhuan edhe dy helikopterë.
Megjithatë, situata vijon të paraqitet e vështirë. Gjatë natës, zjarri ka avancuar drejt zonës së quajtur Gjagjisht, duke u afruar me pllajat e Lanë Lurës.
Ditën e sotme kanë mbërritur në terren edhe 40 forca ushtarake nga Batalioni i Mbështetjes, të cilat i janë bashkuar operacionit për vënien nën kontroll të flakëve.
Pritet që gjatë ditës të vijojë ndërhyrja nga ajri për kufizimin dhe shuarjen e zjarrit.
Operacioni paraqet vështirësi për shkak të mungesës së rrugëve pyjore, terrenit të thyer dhe erës së fortë, e cila favorizon përhapjen e flakëve.



