
Dy karburante janë grabitur me armë gjatë natës në Vlorë. Vetëm pak orë pas ngjarjeve, në pranga është vënë autori i tyre, një 27-vjeçar nga Berati.
Mariglen Myftaraj është identifikuar si autori i grabitjes së një karburanti në Novoselë, ngjarje e ndodhur rreth orës 00:40 të mëngjesit të sotëm. 27-vjeçari ka hyrë në karburantin në pronësi të shtetasit Y.B, ku dyshohet se ka marrë një sasi parash prej 3 000 lekë të rinj.
Më pas, sipas policisë, ai ka kryer një tjetër grabitje te mbikalimi i Novoselës.
Ngjarja ka ndodhur në orën 05:53, kur një person i maskuar me kapuç në kokë dhe i armatosur, që më pas u identifikua si Mariglen Myftaraj, ka shkuar në një karburant në pronësi të shtetasit F.S.. dhe nën kërcënimin e armës së zjarrit automatik, ka marrë me forcë një sasi parash prej 24 000 lekë të rinj dhe është larguar.
Policia e ka gjetur 27-vjeçarin të fshehur nëpër shkurre midis fshatrave Aliban-Akërni.
Policia ka sekuestruar një armë zjarri automatik – kallashnikov, një kapuç, që përdori për maskim, një sasi parash prej 27.000 lekë të rinj dhe 150 euro.



