
Shoqata e Serbëve të Zhvendosur të Kosovës njoftoi se sot nga ora 12:00 deri në ora 15:00 do të bllokojnë rrugët që lidhin Kosovën dhe Serbinë për të gjitha automjetet që drejtohen nga shqiptarët që kalojnë përmes pikëkalimit kufitar Kosovë-Serbis në Merdarë, drejt Kurshumlisë, Nishit, Beogradit dhe Suboticës, në mbarë territorin serb.
Rrugët do të jetë të bllokuara çdo të hënë për tre orë nga ora 12:00 deri në ora 15:00 derisa të ndalet terrori i përditshëm ndaj popullit serb në Kosovë.
Terrori që po përjeton populli serb dhe populli tjetër joshqiptar është bërë i padurueshëm dhe është shumë afër një konflikti me pasoja të pallogaritshme.
Nga ana tjetër Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka njoftuar se në Merdarë, matanë kufirit do të ketë protesta dhe bllokim të rrugëve nga ora 12:00 deri në 15:00.
Kjo qendër ka bërë thirrje që të përdoren pikat tjera kufitare për qarkullim.
Njoftohen të gjithë qytetarët të cilët planifikojnë të udhëtojnë përmes Pikë Kalimit Kufitar në Merdarë, se në pjesën e SRB, për sot janë paralajmëruar protesta dhe bllokim të rrugëve, prej orës 12:00-15:00.
Ju inkurajojmë që të përdorni PKK tjera për qarkullim.
Ndryshe serbët e zhvendosur nga Kosova kanë paralajmëruar bllokim të rrugës drejt Kurshumlisë.
Ky bllokim do të ndodh për të gjitha ato automjete që udhëtojnë përmes Merdares drejt Kurshumlisë, Nishit, Beogradit dhe drejt Suboticës.
Bllokimi i rrugëve që çojnë në drejtim të Kosovës vjen pas hyrjes në fuqi të rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), nëpërmjet të cilës synohet ndalimi i qarkullimit të dinarit serb në territorin kosovar. Shumë paralajmëruan se çështja e dinarit mund të nxisë ripërtëritjen e konfliktit në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe, sikurse për targat.



