
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave solli sot në kujtesë 16 majin e vitit 1991 datë kur në Shqipëri u shpall greva e përgjithshme.
32 vite më parë Lëvizja punëtore e minatorëve të Valiasit në janar 1991, kishte trandur elitën politike të vendit.
"Pa e ekzagjeruar, jemi në prag të anarshisë, e cila, nuk ka dyshim, që do të sjellë konsekuenca tepër të rënda në planin ekonomik, por tepër të rënda edhe në planin politik, sepse anarshia kurrë nuk ka pasur të mira.”- qe shprehur Ramiz Alia, kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor në një mbledhje të datës 16 janar 1991.
Sipas Gramoz Pashkos, problematika buronte nga gjendja e inflacionit ku ndodhej vendi, i përllogaritur në kuotën prej 30-35 %. Kjo gjendje ekonomike kritike vinte si pasojë e rritjes së konsiderueshme të çmimeve të artikujve bazë të konsumit.
“Këtu nuk është fjala të analizojmë shkaqet e kësaj pune, vonesat dhe zvarritjet që mund të kenë ndodhur...
Marrim vesh që punëtorët po përpiqen të krijojnë sindikatat e tyre dhe është e drejta e tyre dhe grevat duhet t’i konsiderojnë me një sens urtësie. Të shikojmë çfarë kërkojnë ata.”- citohet të ketë thënë Pashko në mbledhjen me dyer të mbyllura.
Pavarësisht se si rezultat i mbledhjes u miratua kërkesa e grevistëve për rritjen e pagave të tyre me 60 %, po merrte trajtë greva e urisë së minatorëve të Valiasit, që u bë simbol i lëvizjes punëtore në Shqipëri.






