
Ministri i Brendshëm Taulant Balla gjatë vizitës zyrtare që po zhvillon në Spanjë u prit në një takim në Drejtorinë e Përgjithshëm të Policisë Kombëtare të Spanjës, ku diskutoi çështjet e bashkëpunimit mes dy vendeve për luftën kundër krimit të organizuar dhe fenomeneve të tjera kriminale.
Balla vlerësoi mbështetjen e dhënë nga pala spanjolle për Policinë e Shtetit dhe agjenci të tjera ligjzbatuese, sidomos sa u përket trajnimeve për luftën ndaj veprave penale të pastrimit të parave dhe për rikuperimin e aseteve të krimit.
Policia e Shtetit ka qenë një ndër përfitueset e projektit të drejtuar nga ekspertët spanjolle për luftën kundër krimit të organizuar përmes hetimit financiar. Pala spanjolle ka drejtuar punën edhe për hartimin e një manuali për zbulimin e pastrimit të parave dhe rikuperimin e aseteve kriminale.
Ministri vlerësoi operacionet e përbashkëta të zhvilluar ndërmjet Policisë Shqiptare dhe Spanjolle, në këtë kuadër edhe operacionin “Anti-skifter”, i cili ka shënuar rezultate mjaft të mira.
Balla kërkoi që bashkëpunimi mes dy agjencive të rritet e thellohet më tej, duke ngritur grupe të përbashkëta hetimore për goditjen e aktiviteteve kriminale, në bashkëpunim edhe me INTERPOL dhe EUROPOL.
Në takim u vlerësua bashkëpunimi i derisotëm dhe rezultatet e arritura e gjithashtu u ra dakord për thellimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi, sidomos në rastet e hetimeve të përbashkëta, për shkëmbimin e të dhënave kriminale për persona apo dosje të ndryshme, për zhvillimin e takimeve dypalëshe në raste operacionesh specifike si dhe ato në fushën e narkotikëve, krimeve ekonomike e financiare dhe trafiqeve të paligjshme.
Gjatë takimit, Ministri Balla ka falënderuar për asistencën e ekspertëve spanjoll në kuadër të projektit (EU4FOCAL), të implementuar nga Agjencia Spanjolle FIIAPP, e mbështetur nga Guardia di Finanza e Italisë dhe Policia Kombëtare e Holandës, projekt i cili mbyllet në maj të këtij viti. Një ndër qëllimet specifike të këtij projekti ishte lufta kundër krimit të organizuar përmes hetimit financiar, të mbështetur në metoda inteligjente dhe proaktive.



