Një operacion i policisë së Himarës, i koduar “Detonatorët” ka vënë në pranga një person, të cilit iu gjetën 30 pako me kapsolla elektrike, detonatorë, ndezësa dhe fitil zjarrpërcjellës.
Bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, uniformat blu kanë organizuar punën dhe kanë finalizuar operacionin, gjatë të cilit u bë arrestimi i F. K., 53 vjeç, banues në Himarë.
Shërbimet e policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e 53-vjeçarit, në bodrum, gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 30 pako me kapsolla elektrike, detonatorë, ndezës dhe fitil zjarrpërcjellës.
Ndaj të dyshuarit hetimet janë në vijim, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë së Vlorës, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.



