
Dy punonjës në Burgun e Peqinit janë arrestuar ditën e sotme, nën dyshimet se kanë falsifikuar kartelat e ditëve të punësimit të të dënuarve, duke bërë që këta të fundit të përfitonin ulje të dënimit.
Sipas burimeve, në pranga janë vënë shtetasit Gani Shehu, ish-Përgjegjës i Sektorit Ligjor në IEVP Peqin dhe Lulzim Kadiu, me detyrë kartelist në sektorin ligjor në IEVP Peqin.
Arrestimi i i tyre është bërë pas një hetimi të bërë nga Prokuroria e Elbasanit. Dyshohet se Shehu dhe Kadiu kanë falsifikuar kartelat e disa të burgosurve, mes të cilëve është edhe Viktor Ymeri, personazh i njohur në botën e krimit. Ky i fundit dyshohet se kishte gati skemën për të përfituar ulje dënimi, që të dilte sa më shpejt nga qelia.



