
Gjykata e Posaçme e Apelit (GJKKO) ka shpallur vendimin përfundimtar për të pandehurit e dosjes “Metamorfoza”, duke ashpërsuar dënimin ndaj ish-shefit të Forcës Operacionale, Oltion Bistri.
Trupa gjykuese, e përbërë nga relatori Dhimitër Lara dhe anëtaret Daniela Shirka e Engert Pëllumbi, vendosi të prishë vendimin e Shkallës së Parë për Bistrin, duke e shpallur fajtor edhe për veprat penale të pastrimit të parave dhe korrupsionit pasiv.
Përfundimisht, ish-zyrtari i lartë i policisë u dënua me 7 vite e 4 muaj burgim.
Përveç dënimit me heqje lirie, Apeli i GJKKO-së urdhëroi edhe konfiskimin e pasurive të Oltion Bistrit, 3 apartamenteve, 2 bizneseve dhe 1,3 milion euro, të cilat dyshohet se rrjedhin nga veprimtaria kriminale.
Ndërkohë, për të pandehurit e tjerë të kësaj dosjeje, Behar Bajri, Astmer Bilali, Edmond Preka dhe ish-prokurorin Xhevahir Lita, Apeli i Gjykatës së Posaçme vendosi të lërë në fuqi dënimet e dhëna më herët nga Shkalla e Parë.
