
Detaje të reja janë zbardhur nga Policia e Shtetit për arrestimin e juristit të Kadastrës së Durrësit, Mikel Zaho. Policia njofton se bashkë me Zahon janë arrestuar edhe dy persona të tjerë, pasi akuzohen për falsifikim dokumentesh dhe mashtrim.
Në vijim të operacioneve policore për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e falsifikimit të dokumenteve, Drejtoria për Krimet Ekonomike e Financiare në Departamentin e Policisë kriminale në Policinë e Shtetit, si rezultat i hetimeve 6-mujore, realizoi dhe finalizoi, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale dhe Drejtorinë e Policisë të qarkut Durrës, operacionin policor të koduar “Mbikalimi”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi me vendim të Gjykatës Durrës, i shtetaseve:
Ilias Fisheku, 62 vjeç, lindur dhe banues në Fier, Giraon Aliko, 36 vjeç, lindur dhe banues në Plepa Durrës dhe Mikel Zaho, 43 vjeç, ish-jurist në zyrat e Kadastrës Durrës.
Gjithashtu u bë ekzekutimi i masës së sigurisë “Arresti në shtëpi” për shtetasin Rakip Haxhi.
Të lartpërmendurit, në bashkëpunim me njeri- tjetrin kanë aplikuar dhe regjistruar me dokumente të falsifikuara në hipotekën e Durrësit, një pasuri të paluajtshme 2000 m2 tokë truall dhe mbi të 550 m ndërtesë, në zonën bregdetare në fshatin Vrinjë, Njësia Administrative Rrashbull, rrethi Durrës.
Pasuria është regjistruar në kadastër me dokumente të falsifikuara, në emër të shtetasve Erion Aliko dhe Rakip Haxhi.
Për regjistrimin e kësaj pasurie në zonën bregdetare Durrës janë hartuar me fotoshop, përdorur dhe depozituar dokumente të falsifikuara të leje së legalizimit për objektin me një sipërfaqe ndërtimi 550m2 dhe sipërfaqe trualli 2000 m2.
Arrestimi i këtyre shtetasve u bë për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Mashtrimi”, të kryera në bashkëpunim.



