Një vendim i qeverisë shqiptare i hap rrugë krijimit të policisë vullnetare, pas asaj të rendit dhe private që ekzistojnë prej disa vitesh. Nga 18 deri në 65 vjeçar pas një trajnimi në akademinë e sigurisë kanë të drejtën të veshin uniformën e policisë me kushtin që të punojnë 25 orë në javë pa pagesë.
Miratimi i Vendimit të Qeverisë që i hap rrugë Policisë Vullnetare në një kohë kur në vend ka polici shteti, polici private ngre edhe pikëpyetjen se kush do ta ushtrojë këtë detyrë?
Si do të përzgjidhen këta persona që do të veshin uniformën e shtetit?
Referuar VKM-së të siguruar nga emisioni “FactCheck” në MCN TV janë disa kushte ligjore që do duhet të plotësohen më parë nga ata që do të marrin përsipër ta bëjnë së pari falas këtë punë e më pas të bëhen edhe polic me uniformë por pa armë.
Ja kush ka të drejtë të bëhet polic vullnetar – kriteret dhe dokumentet që duhen dorëzuar
Policia e Shtetit ka hapur aplikimet për shërbimin si polic vullnetar, një angazhim që synon përfshirjen e qytetarëve në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike. Ky rol është pa pagesë, por ofron kontribut konkret në komunitet dhe bashkëpunim të ngushtë me strukturat vendore të Policisë.
Kush ka të drejtë të aplikojë?
Të drejtën për të shërbyer si polic vullnetar e kanë shtetasit shqiptarë që plotësojnë këto kritere:
• Janë nga 18 deri në 65 vjeç
• Kanë përfunduar arsimin e mesëm
• Gëzojnë aftësi të plota mendore dhe fizike
• Nuk janë të dënuar penalisht
• Nuk kanë lidhje familjare me persona të përfshirë në veprimtari kriminale
• Kanë sjellje të mirë në komunitet
• Nuk janë gjyqtarë, prokurorë, avokatë, punonjës të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të SHISH-it, apo të institucioneve të tjera të sigurisë
Dokumentet e nevojshme për aplikim (gjithsej 6):
1. Kërkesa me shkrim drejtuar Drejtorisë Vendore të Policisë
2. Fotokopje e kartës së identitetit
3. Dëshmi penaliteti (e marrë nga Gjendja Gjyqësore)
4. Vërtetim nga prokuroria se nuk është nën hetim
5. Vërtetim nga gjykata se nuk ka procese gjyqësore aktive
6. Vërtetim nga mjeku i familjes për gjendjen shëndetësore
Procesi i pranimit
Pas dorëzimit të dokumenteve, Drejtoria Vendore e Policisë verifikon të dhënat dhe i nënshtrohet kandidati një procesi vlerësimi. Më pas, ai dërgohet për ndjekjen e një trajnimi bazë në Akademinë e Sigurisë. Vetëm pas përfundimit me sukses të trajnimit dhe kontrollit të besueshmërisë, kandidati pajiset me një certifikatë dhe fillon shërbimin si polic vullnetar.
Përfitimet dhe detyrimet
Edhe pse nuk ka pagesë, polici vullnetar përfiton trajnim profesional dhe njohje zyrtare të kontributit. Ai ka detyrimin të respektojë kodin e etikës dhe të mos ndërhyjë në kompetencat e Policisë së Shtetit, por të mbështesë në mënyrë ndihmëse aktivitetet e saj.



