E.N / TemA TV
Ka humbur jetën tragjikisht mbrëmjen e djeshme 18 - vjeçari me origjinë shqiptare, Albert Dreni pasi u godit me thikë disa ditë më parë në një tram në qytetin e Milanos. Dreni raportohet se po vuante prej ditësh në spital nga dëmtime të shumta në trup pasi kishte rastisur në mesin e një agresioni prej njërave nga bandat latino-amerikane (të ashtuquajturat pandillas), “Ms13”.
Sipas dëshmitarëve dhe autoriteteve, 18 - vjeçari kishte ndërhyrë të ndihmonte një shok latino - amerikan që po sulmohej barbarisht nga disa individë të cilët e akuzonin pa të drejtë se ishte pjesë e një bande rivale. E gjithë ngjarja ndodhi në një stacion trami në Milano dhe madje është edhe e filmuar nga kamerat e sigurisë. Ashtu siç shihet edhe nga filmimet, sulmi ka qenë i dhunshëm dhe nga shumë persona njëkohësisht dhe 18 - vjeçari është nxjerrë me dhunë jashtë tramit nga pjestarët e bandës. Pavarësisht rezistencës personale, Dreni nuk u ndihmua nga askush dhe humbi ndjenjat në vend si pasojë e plagëve të marra. Ndaj adoleshentit është përdorur dhe thika, madje duke e goditur edhe në zemër.
Pas një operacioni dhe pas mbi 10 ditëve në gjëndje kome në Spital, Dreni nuk ia doli të mbijetonte nga ky sulm.
Deri më tani autoritetet italiane kanë vënë në pranga dy prej pjestarëve të bandës, gjithashtu raportojnë se po në të njëjtën natë që u sulmua Dreni, “Ms13” kanë kryer edhe një agresion tjetër. Bandat e latino-amerikanëve, sidomos ato të tipit pandilla, janë një shqetësim në rritje për sigurinë publike në Milano dhe përbëhen kryesisht nga grupime adoleshentësh që frymëzohen nga bandat simotra në Amerikën Latine.



