
Si pasojë e motit të keq dhe reshjeve intensive, liqeni i Viroit ka dalë nga shtrati, duke përmbytur një pjesë të aksit nacional Gjirokastër–Tepelenë.
Korrespondentja nga Gjirokastra, Jonida Qirko, raportoi për “MCN Live” se, pas daljes së ujit në rrugë, nuk është vërejtur asnjë patrullë policie që të drejtojë qarkullimin e mjeteve, të cilat janë bllokuar në zonë.
Liqeni i Viroit ka dalë nga shtrati i tij duke përmbytur aksin nacional Gjirokastër-Tepelenë.
Uji, megjithëse në sasi ende të kufizuar, ka dalë mbi sipërfaqen e rrugës, duke krijuar vështirësi të dukshme për drejtuesit e automjeteve. Disa automjete kanë mbetur të bllokuara në ujë dhe nuk kemi vërejtur sot asnjë strukture policore që të drejtojë qarkullimin e mjeteve, të cilat janë bllokuar në zonë.
Në qarkun e Gjirokastrës, reshjet intensive gjatë natës kanë shkaktuar prezencë uji dhe inertesh në disa segmente rrugore, përfshirë, Kardhiq–Delvinë (pranë tunelit të Skërficës), Tepelenë–Gjirokastër (pranë “Shkallës së Zezë”), Gjirokastër–Kakavijë (përballë fshatit Bularat).
Falë ndërhyrjes së firmave kontraktore, këto akse aktualisht janë të qarkullueshme.
Niveli i lumit Vjosë në orën 06:30 ka qenë:6.2 metra në urën e Memaliajt dhe 4.4 metra në urën e Përmetit.
Ndërkohë, pa energji elektrike kanë mbetur fshatrat e zonës së Luftinjës dhe Buzit në Memaliaj, pasi përcjellësit e fiderave “Miniera 1” dhe “Maricaj” vazhdojnë të jenë në kontakt me rrjedhën e lumit Vjosë.
Në Gjirokastër, problematika me furnizimin me energji elektrike është raportuar edhe në fshatin Lazarat.



