
Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka nisur procedurat e verifikimeve të arkivuara për lirimin nga burgu të Dan Hutrës, i cili është autor i disa masakrave në Tiranë.
ILD ka dhënë detaje në lidhje me akuzat e bëra për lirimin e Dan Hutrës nga burgu pas vrasjes së gruas së parë.
Sipas ILD-së, vendimmarrja e gjyqtarit ka qenë në përputhje me ligjin, dhe se Hutra kishte përmbushur periudhën e dënimin, çka ka rezultuar me daljen më herët nga qelia.
NJOFTIM PËR MEDIA
Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë ka përfunduar verifikimin e nisur kryesisht, të informacionit të bërë publik në media, lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Tiranë më 1 Mars 2023, ku si pasojë e veprimeve të kryera nga shtetasi Dan Hutra, tre gra kanë humbur jetën dhe janë plagosur tre të tjera, ndër të cilat, bashkëjetuesja e tij.
ILD vlerëson paraprakisht se faktet (veprimet apo mosveprimet e magjistratit), të cilat mund të përbëjnë shkelje disiplinore, sipas kërkesave të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar, nuk janë vetëm ato që parashtrohen në bazë të një informacioni publik, por janë ato që analizohen nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, apo vlerësohen në bazë të një procesi verifikimi apo hetimit disiplinor. Në bazë të një informacioni publik mund të paraqiten një tërësi faktesh, të cilat pretendohet se kanë ndodhur dhe që përbëjnë shkelje disiplinore, por Inspektori i Lartë i Drejtësisë, mund të bëjë një cilësim të saktë apo të ndryshëm të fakteve dhe veprimeve, që lidhen me shkeljen disiplinore, pa u lidhur me përcaktimin, që mund të pretendohet në këtë informacion publik.
Në funksion të verifikimit të këtij rasti, Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka administruar të dhëna shtesë dhe dokumentacionin përkatës nga Prokuroria e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës dhe Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës, Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës dhe nga Drejtoria e Burgjeve.
Në analizë të dokumentacionit të administruar rezultoi se në lidhje me procedurat ligjore të ndjekura gjatë hetimit, gjykimit apo fazës së ekzekutimit të cështjes penale të regjistruar në vitin 2022, në emër të shtetasit D.H. për kryerjen e veprës penale “Dhunë në familje”, të parashikuar nga neni 130/a i Kodit Penal, si dhe procedurat ligjore të ndjekura gjatë hetimit, gjykimit apo fazës së ekzekutimit të cështjeve të tjera të mundshme penale të regjistruara në emër të shtetasit D.H., nuk konstatohen veprime apo mosveprime të magjistratëve, të cilat i krijojnë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, një dyshim të arsyeshëm, i cili justifikon fillimin e hetimit disiplinor sipas kërkesave të nenit 122, pika 1 të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.
Në këto kushte, Inspektori i Lartë i Drejtësisë, në mbështetje të nenit 120 dhe 121, pika 2, shkronja “a” e ligjit nr.96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, nenit 204, pika 1, shkronja “j” dhe nenit 2014 të ligjit nr.115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, i ndryshuar, ka vendosur arkivimin pas verifikimit kryesisht të informacionit të bërë publik në media në lidhje me procedurat ligjore të ndjekura gjatë hetimit, gjykimit apo fazës së ekzekutimit të çështjeve penale të regjistruara në emër të shtetasit Dan Hutra.



