
Një prej klerikëve të manastirit të Vraninës u arrestua për tragjedinë e ndodhur ditën e djeshme në Liqenin e Shkodrës, ku si pasojë e mbytjes së një varke humbën jetën katër persona. Mediat e Malit të Zi shkruajnë se Goran Kimpanov, 43 vjeç, murg në manastir, u arrestua për shkelje të sigurisë publike. Sipas Vijestit, ai është marrë në pyetje për 20 orë në Qendrën e Sigurisë në Podgoricë.
Ratko dhe Jana Kumboroviç, së bashku me vajzën e tyre të vogël, u mbytën në liqen pas përmbysjes së varkës. Po ashtu, në këtë ngjarje humbi jetën edhe miku i tyre nga Podgorica, Darko Vujosheviç, i cili u përpoq t’i shpëtonte. Ngjarja bëhet akoma më e rëndë për shkak të faktit se Jana ishte shtatzënë.
Trupi i Vujosheviçit u gjet pak orë pas ngjarjes nga ekipet e shpëtimit. Ndërkohë, vijojnë kërkimet edhe sot për familjen Kumboroviç.
“Oficerët e policisë në Podgoricë arrestuan G.K., (43) nga Zrenjanin, një klerik i angazhuar në Manastirin Vranina, me dyshimin se ai ka kryer krime shkelje serioze kundër sigurisë publike dhe shkaktim të rrezikut të përgjithshëm. Dje, rreth orës 15:00, është pëmbysur një anije, për shkak të kushteve të motit në Vraninë nga drejtimi i manastirit në bregdet. Në anije ishin tetë persona pa pajisjet e duhura në rast rreziku (jelek)", thuhet në një deklaratë të drejtorisë së policisë.



