Një person i cili akuzohet për shpërndarjen e drogave të forta në qytetin e Vlorës është vënë në prangat e policisë.
Pas një hetimi 3-mujor të kryer me metoda speciale për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike, uniformat blu finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “White Snow”.
Si rezultat, u bë e mundur lokalizimi dhe ndalimi i shtetasit A. B., 45 vjeç, banues në Vlorë, ndaj të cilit Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë, me vendimin e datës 4 mars, caktoi masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.
Gjatë hetimeve, shërbimet e policisë siguruan prova të mjaftueshme për përfshirjen e këtij shtetasi në shpërndarjen e lëndëve narkotike të llojit kokainë në zona të ndryshme të qytetit të Vlorës.
Nga kjo veprimtari kriminale, 45-vjeçari ka përfituar shuma të konsiderueshme parash, të cilat dyshohet se i ka gjeneruar nga shitja e dozave të kokainës.
Gjithashtu, gjatë operacionit, shërbimet e policisë kryen kontroll në banesën e tij, ku gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 222 doza kokainë, një peshore elektronike, e përdorur për ndarjen e dozave, 2 aparate celularë, dhe një automjet.
Aktualisht vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.



