
Kolegji i Posaçëm i Apelimit riktheu sot në detyrë prokuroren Daniela Sulaj, e cila kishte ankimuar vendimin e KPK-së që e shkarkonte nga funksioni si magjistrate e komanduar si inspektore pranë Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.
Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Natasha Mulaj kryesuese, Albana Shtylla relatore, Ina Rama, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo anëtarë, shpalli vendimin për ankimimin e subjektit të rivlerësimit Daniela Sulaj kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit të vitit 2021.
Në përfundim të gjykimit, trupi gjykues, bazuar në ligjin “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, me shumicë votash, vendosi ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit Daniela Sulaj.
Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.
Sulaj e ka filluar karrierën në vitin 2004 si prokurore në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kavajë. Në vitin 2008 ajo është transferuar në Prokurorinë e Tiranës.
Prokurorja e Tiranës u shkarkuar nga KPA në korrik të vitit 2021 pasi evidentoi mospërputhje të deklarimeve të subjektit me faktet e konstatuara gjatë hetimit administrativ, mungesë financiare në një vit si dhe e konsideroi “mungesë etike” ndërtimin e një shtëpie pa leje. Sulaj i kundërshtoi gjetjet në kriterin e pasurisë dhe kërkoi konfirmimin në detyrë.



