
Gjirokastra vijon të jetë nën “pushtetin” e ujit, ndërsa përmbytjet kanë shkaktuar bllokim të plotë të qytetit, veçanërisht në hyrje të tij, si pasojë e reshjeve të dendura të shiut.
Korrespondentja e MCN, Jonida Qirko, në një lidhje për “MCN Live”, ka sjellë panoramën e rëndë që kanë lënë pas përmbytjet në brendësi të qytetit, duke theksuar se strukturat vendore kanë dështuar në menaxhimin e situatës emergjente.
Ndonëse në pjesën më të madhe të vendit situata është përmirësuar krahasuar me ditën e djeshme, në Gjirokastër pasojat mbeten të rënda, të jashtëzakonshme.
Dje, përroi i Ficos doli nga shtrati duke vërshuar në rrugët e qytetit, ndërsa sot ujërat janë tërhequr, duke lënë pas sasi të mëdha inertesh.
Situata ka qenë jashtëzakonisht e rëndë. Rreth orës 18:00 të ditës së djeshme, pas intensifikimit të reshjeve, janë shkaktuar dëme të konsiderueshme. Qindra automjete kanë mbetur të bllokuara, rrugët janë mbushur me baltë e dhera dhe shumë biznese kanë pësuar dëmtime të mallit.
Megjithatë, reshjet kanë rinisur edhe sot, duke rritur sërish rrezikun.
Sipas raportimeve nga terreni, qindra automjete janë marrë nga rrjedha e ujit, ndërsa jeta e banorëve është vënë në rrezik serioz.
Dje ka qene një neglizhencë totale e pushtetit vendor për marrjen e masave në kohë reale.
Ka pasur telefonata të shumta nga qytetarë që kanë kërkuar ndihmë përmes numrave të emergjencës, por askush nuk ka shkuar në terren.
Qindra familje në qytet ndodhen në rrezik, ndërsa pusetat e kanalizimeve janë të bllokuara, sipas banorëve, prej katër vitesh pa u pastruar. Situata më problematike ka nisur nga qendra e qytetit, ku u bllokua fillimisht i gjithë qarkullimi.
Qindra automjete kanë mbetur të bllokuara që prej reshjeve të djeshme, duke paralizuar plotësisht lëvizjen. Të gjitha rrugët e qytetit janë të bllokuara dhe lëvizja mund të kryhet vetëm në këmbë, me kujdes të shtuar, për shkak të vërshimit të ujit.
Rrëshqitje masive dherash janë regjistruar në zonën e Manalatit dhe në bypass-in e Gjirokastrës, ku rrugët e sipërme kanë pësuar shembje. Lumi Viroi ka dalë nga shtrati, duke përmbytur të gjithë zonën përreth.



