“Labirinti” u kodua një operacion i policisë së Vlorës, pas hetimeve gjashtë mujore, gjatë të cilit u arrestuan 11 persona dhe u shpallën në kërkim dy të tjerë, të dyshuar se shisnin doza të drogave të forta dhe kanabisi, në Vlorë dhe në Fier.
Në kuadër të operacionit u ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në burg”, e caktuar nga Gjykata e Vlorës, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, për shtetasit F. O., 34 vjeç, J. B., 25 vjeç, D. Gj., 24 vjeç, A. O., 32 vjeç, E. Sh., 42 vjeç, I. H., 29 vjeç, të gjithë banues në Fier, N. H., 33 vjeç, banues në Tepelenë dhe K. Xh., banues në Tiranë;
-si dhe për shtetasit E. K., 18 vjeç, E. K., 21 vjeç, vëllezër të cilët aktualisht vuajnë dënimin në IEVP për veprën penale “Vrasja” dhe A. H., 54 vjeç, i cili vuan dënimin në IEVP për veprën penale “Mashtrimi”.
Gjithashtu, u shpallën në kërkim dy persona. Gjatë operacionit është arrestuar në flagrancë 1 shtetas i mitur 17-vjeçar, pasi posedonte doza kanabisi, në banesë.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, shitnin doza të drogave të forta dhe kanabisi, në Vlorë dhe në Fier.
Aktualisht vijon puna për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim.



