
Një person është arrestuar dhe një tjetër po procedohet penalisht pasi kishin strehuar 18 emigrantë të paligjshëm me qëllim kalimin në vendet e BE-së kundrejt fitimit.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore, finalizuan me sukses operacionin policor "Compass", si rezultat i të cilit u ndalua shtetasi G. B., 28 vjeç, si dhe u procedua penalisht në gjendje të lirë shtetasi V. A., 32 vjeç, banues në fshatin Lazarat, Gjirokastër.
Në datë 05.04.2022, në vendin e quajtur "Teqja", në fshatin Lazarat, Gjirokastër, në ambientet e disa banesave të braktisura, janë gjetur 18 emigrantë të paligjshëm nga vendet MENA, të cilët kishin hyrë dhe qëndronin ilegalisht në Shqipëri.
Nga veprimet e para hetimore rezultoi se emigrantët e paligjshëm ishin strehuar nga shtetasit G. B. dhe V. A., me qëllim transportimin e tyre në drejtim të Tiranës, kundrejt fitimit.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1 automjet, 1 aparat celular dhe 100 euro të dyshuara të falsifikuara.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprat penale "Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit", kryer në bashkëpunim dhe "Falsifikimi i monedhave".



