
Pas ngjarjes së regjistruar brenda burgut në Peqin pak ditë më parë, Drejtoria e Burgjeve ka lëshuar urdhrin për transferimin e të burgosurve “VIP” nga IEVP Durrës për në IEVP Fier. Sipas informacioneve, mësohet se ky urdhër është dhënë pasi, ka dyshime se këta persona janë toleruar ndaj rregullave brenda burgjeve, ndryshe nga të burgosurit e tjerë.
Në sektorin “Vip” të burgut të Durrësit mbaheshin ish-zyrtarë, ish-prokurorë e ish-ministra në gjykim apo nën hetim për korrupsion, shkelje në tenderë dhe shpërdorim detyre. Janë transferuar rreth 13 të burgosur “VIP”, mes të cilëve ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, ish-sekretari i ministrisë së mjedisit Alqi Bllako, ish- kryetari i bashkisë së Lushnjes Fatos Tushe, ish-kryetari i bashkisë së Bulqizës Lefter Alla, ish-kryetari i bashkisë Kukës, Safet Gjici, kryetari i zgjedhur i bashkisë Himarë Alfred Beleri, ish-prokurori Xhevahir Lita si dhe ish-drejtori i forcave Operacionale, Oltion Bistri.
Duke qenë se burgu i Fierit ka kushte më të larta sigurie, është parë e arsyeshme që transferimi i këtyre të burgosurve të bëhet në këto qeli.
Një ndryshim është edhe funksionimi i regjimit të posaçëm 41-bis. Ndonëse më herët kishte qeli të posaçme vetëm tek burgu “313”, tashmë do të ketë edhe në burgjet e tjera.
Regjim të rreptë ndaj tyre do të ketë në burgun e Fierit dhe të Peqinit. Sektori që deri më tani ka funksionuar për regjimin 41 bis, tashmë është liruar dhe aty janë vendosur të gjithë të penduarit e drejtësisë.



