
Shkon në 19 numri i të arrestuarve në Shqipëri, në kuadër të operacionit policor ndërkombëtar në koduar “Astrolabio”.
Policia e Shtetit njoftoi sot se u kap në Vlorë, një prej të kërkuarve në kuadër të këtij operacioni.
Në pranga u vu shtetasi K. L., për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Më herët, në Shqipëri janë arrestuar 18 persona, në kuadër të operacionit “Astrolabio”, i cili u zhvillua në sinkron me autoritetet gjyqësore dhe ato të zbatimit të ligjit shqiptare, italiane dhe greke, në kuadër të një Skuadre të Përbashkët Hetimore (JIT), e krijuar midis Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Shqipëri, Seksionit Antimafia të Prokurorisë së Lecce-s, Itali, dhe të Prokurorisë së Përgjithshme të Apelit Athinë, Greqi, me koordinimin e EUROJUST (AJA) dhe ndihmën e EUROPOL-it.
Policia e Shtetit bëri të ditur se, gjatë hetimeve të kryera nga Skuadra e Përbashkët Hetimore (JIT) është dokumentuar fakti se pjesëtarët e katër grupeve kriminale ushtronin në bashkëpunim ndërmjet tyre, aktivitetin kriminal të kontrabandimit të personave të ndryshëm nga Lindja e Mesme, me destinacion Italinë e Jugut dhe në vijim drejt vendeve të tjera të BE-së. Pjesëtarët e këtyre grupeve kriminale, pasi siguronin persona të ndryshëm, kryesisht në Irak, Siri, Egjipt e vende të tjera, kundrejt një shpërblimi monetar që varionte nga 5000 deri në 10000 euro, i kontrabandonin ata në rrugë tokësore dhe detare, duke iu mundësuar kalimin në mënyrë të paligjshme nga njëri shtet në tjetrin, me destinacion përfundimtar vendet e BE-së.
Policia theksoi se vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e personave të tjerë të shpallur në kërkim në kuadër të këtij operacioni.
Materialet i kaluan SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.



