
Policia e Durrësit, njofton se për shkak të një defekti në anijen që kishin në përgjegjësi tre të huaj, janë ndotur ujërat në akuariumin e portit.
Menjëherë pas njoftimit për ndotje të ujërave në kalatën nr.7 të portit të Durrësit, specialistët e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me ata të Kapitenerisë së Portit, IKMT-së dhe të mjedisit, kryen verifikimet për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetasit përgjegjës.
Për rastin u referuan materialet në Prokurori, ku nisën procedimet në gjendje të lirë, për veprën penale “Ndotja e ajrit, e ujërave dhe e tokës”, për shtetasit P. L., 48 vjeç, banues në Rusi, A. S., 35 vjeç, banues në Rumani dhe V. F., 63 vjeç, banues në Rusi.
Procedimi penal për këta shtetas nisi sepse nga verifikimet rezultoi se ndotja e ujërave ishte shkaktuar nga çarja e tubit të presionit të vajit, të anijes tregtare, në të cilën shtetasi P. L. është kapiten, shtetasi A. S. është kryemekanik, ndërsa shtetasi V. F. është mekanik i dytë.
Sipërfaqja ujore e ndotur u pastrua nga shërbimet e agjencisë përgjegjëse.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.



