
Seanca e vettingut në KPA për prokuroren e Tiranës Elisabeta Imeraj ka zbuluar një skandal tronditës që implikon vëzhguesin e ONM-së Theo Jacobs. Në seancë u zbulua se Theo Jacobs disa javë më parë ka referuar në SPAK e-mail-in e një zonje e cila i shkruante Theo Jacobsit mbi disa rryshfete të supozuara të prokurores Imeraj.
Siç raportong Hashtag.al, denoncuesja (të cilën Hashtag e quan “Threla” për ta mbrojtur) është një personazh shumë i njohur për organet ligjzbatuese shqiptare pasi në 3 vitet e fundit ka bërë dhjetëra kallëzime, për gjithë zinxhirin drejtues të shtetit shqiptar, madje dhe për komisionerët e vettingut, ambasadoren amerikane, artistë, këngëtarë, Mark Zuckebergun madje “Threla” ka denoncuar dhe presidentin e Kinës Xi Jiping, duke e akuzuar atë si personin që e helmoi me koronavirus.
Prej disa kohësh Hashtag.al po hulumtonte për një shkrim që do të shpaloste denoncimet më të çuditshme dhe më paradoksale që i shkojnë institucioneve shqiptare. Ndër materialet e mbledhura prej nesh ishin dhe denoncimet e zonjës “Threla”, e cila më herët ka punuar në ministrinë e Mbrojtjes dhe është larguar pasi shfaqi destabilizim psikik dhe ishte e pamundur të realizonte detyrën. Ajo është një personazh i njohur për policinë, prokurorinë dhe gjykatat pasi denoncimet e saj nuk rreshtin, por të gjithë janë të qartë se bëhet fjalë për një person të destabilizuar psiqikisht, me të meta mendore.
Surpriza ka ndodhur sot në seancën e prokurores Elisabeta Imeraj, ku papritur u zbulua se “Threla” është përdorur nga komisioneri Theo Jacobs për të goditur prokuroren e Tiranës Elisabeta Imeraj. Jacobs ka referuar në SPAK disa muaj më parë një e-mail të personazhit “Threla”, SPAK ka pushuar hetimet mbi këtë personazh pasi ishte mëse e qartë se denoncuesja ishte një person i destabilizuar dhe çështja ishte një aventurë pa lidhje.
Personazhi “Threla” i ka publikuar denoncimet dhe në faqen e saj të Facebook-ut, më poshtë po paraqesim pasazhe që japin një ide mbi këtë denoncuese.
Burimi Hashtag.al



