Shtetasi shqiptar që tronditi Britaninë e Madhe dhe që mobilizoi task forcat e policive të disa vendeve europiane për kapjen e tij, pasi kishte vrarë me thikë një shtetas britanik dhe kishte zhdukur bashkëshorten e tij, tashmë është identifikuar. I njohur me emrin e rremë Ali Qazimaj, killeri gjakftohtë në të vërtetë quhet Vital Dapi.
Dapi ka rrëfyer identitetin e tij përballë një gjykate britanike, nga e cila mësohet se vrasësi është gjithashtu 44 vjeç, i lindur në Elbasan dhe me adresë banimi të familjes në rrugën “Xhafer Hakani”, lagjia “Brigada e 17”. Djali i vetëm i Xheladin dhe Nadire Dapit, 44 vjeçari banonte në Britani me identitetin, e vjedhur, si kosovari Ali Qazimaj dhe me një emër tjetër, Marko Kosta.
Dapi dyshohet se ka masakruar me thikë 75 - vjeçarin Peter Stuart dhe, pasi e ka vrarë, ka zhdukur edhe trupin e bashkëshortes të Stuart, 69 - vjeçaren Sylvia Stuart. Duke u bazuar tek provat e mbledhura deri më tani pritet që Dapi të qëndrojë në paraburgim deri më 19 gusht, kur Prokuroria t’i faktojë gjykatës britanike se bëhet fjalë për personin e duhur.
Historia e vrasjes të çiftit britanik shokoi opinionin publik btitanik dhe në vendin tonë, ndërsa Dapi u arrestua më datën 16 qershor në Luksemburg pas një sër kërkimesh. Në fund të muajit korrik personi që alarmoi autoritetet e të dyja vendeve u ekstradua drejt Britanisë së Madhe.



