Një person i shpallur në kërkim prej tre vitesh, pas sekuestrimit të 262 kilogramë kanabis sativa, është vënë në prangat e policisë së Vlorës.
Si rezultat i kontrolleve nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve dhe shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, është kapur dhe ndaluar shtetasi E. K., 24 vjeç, banues në Vlorë.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim në kuadër të operacionit policor të koduar “Çairet”, pasi dyshohet se në bashkëpunim me shtetasit F. K., dhe K. K., të ndaluar me herët nga policia, kishte përshtatur një ambient, si serë, me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike, ku policia gjeti fidanë narkotikë të kultivuar në serë dhe në kubikë.
Gjatë këtij operacioni, në vitin 2021, në fshatin Kaninë, Policia sekuestroi 262 kg lëndë të dyshuar narkotike kanabis.



