
Tre persona të akuzuar për korrupsion në zgjedhjet e 11 majit në Kurbin, janë dërguar për gjykim.
Ata akuzohen për korrupsion aktiv dhe pasiv në zgjedhje, të ndodhur gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 në qarkun e Lezhës.
Të pandehurit e dërguar për gjykim janë:
-Gersi Kaçorri, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsion aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 328 dhe 25 të Kodit Penal;
-Besnik Uka, i akuzuar për “Korrupsion pasiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 328/b dhe 25 të Kodit Penal;
-Artur Jahja, i akuzuar për “Korrupsion pasiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 328/b dhe 25 të Kodit Penal.
Procedimi penal është regjistruar mbi bazën e materialeve të referuara nga Byroja Kombëtare e Hetimit, e cila ka zhvilluar një hetim proaktiv me përdorimin e metodave speciale të hetimit, përfshirë përgjime telefonike dhe vëzhgime të drejtpërdrejta.
Nga provat e mbledhura, ka rezultuar se gjatë fushatës elektorale, të pandehurit në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë premtuar, ofruar dhe shpërndarë shuma monetare për zgjedhës në zonën e Bashkisë Kurbin, me qëllim që ata të votonin në një mënyrë të caktuar në mbështetje të subjektit politik Partia Socialiste.
Hetimet kanë treguar se tre të pandehurit kanë qenë aktivë në fushatën zgjedhore, duke ndërmarrë veprime konkrete për të ndikuar në vullnetin e zgjedhësve dhe për të ndihmuar rezultatin elektoral të subjektit në fjalë.



