Një rrjet i trafikut të lëndëve narkotike është goditur nga autoritetet italiane, ku në pranga janë vënë 18 persona, mes të cilëve janë edhe shqiptarë. Më herët, në kuadër të këtij operacioni janë arrestuar dhe 6 persona të tjerë, për të cilët u vendos masa e sigurisë “arrest shtëpie”.
Ky grup kriminal dyshohet se janë shpërndarës të lëndëve narkotike në Italinë veriore, ku hetimet filluan nga rrethi i Comasina në Milano. Në kuadër të këtij operacioni u sekuestruan në cilësinë e provave materiale makina, bizhuteri, para, një shkollë hipizmi, disa kuajt, të gjitha këto dyshohet se kanë ardhur nga trafiku i lëndëve narkotike.
Nga hetimi u zbuluan tre nivele të tregtisë së drogërave. Dy grupe funksiononin si organizatorë të shitjes ndërsa një grup tjetër, mes tyre shqiptarë, bënin shpërndarjen e lëndës narkotike në zona të ndryshme.
Këta të fundit u konstatuan duke shitur kokainë dhe kanabis në sheshin Milanesse. Personat e përfshirë në këtë rrjet u arrestuan në disa qytete si Milano, Monza, Torino, Bergamo e Sassari.



