“Start 2023” u kodua një operacion i policisë së Tiranës, gjatë të cilit u vu në pranga një person i cili lëvizte i armatosur.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në inteligjencën informative se në rrugën “Teodor Keko”, një shtetas po lëvizte me armë zjarri, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Start 2023”.
Si rezultat i këtij operacioni, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit M. L., 41 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Gjatë kontrollit fizik, shërbimet e policisë i gjetën këtij shtetasi 1 armë zjarri pistoletë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.



