Një aksident i rëndë ka ndodhur paraditen e sotme në aksin rrugor Thumanë-Krujë, me pasojë vdekjen e një 40-vjeçareje. Sipas njoftimit të Policisë, mjeti tip “Opel” është përplasur me një mjet tjetër tip “Trajler”.
Përplasja ka qenë mjaft e fortë, duke i marrë edhe jetën 40-vjeçares. Ndërsa dy të tjerë kanë mbetur të lënduar dhe janë dërguar për mjekim në spitalin e Krujës.
Njoftimi i policisë
Më datë 23.11.2020, në orën 11:10, në aksin rrugor Thumanë -Krujë, janë përfshirë në aksident rrugor një mjet tip “Trajler” me një mjet tip “Opel” dhe për pasojë ka ndërruar jetë një shtetase rreth 40 vjeçe (ende e paidentifikuar pasagjere në mjetin tip “Opel”) dhe janë lënduar 2 shtetas, të cilët janë dërguar në spital. Drejtuesi i mjetit tip "Trajler" është shoqëruar në ambientet e policisë për veprime të mëtejshme. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e ngjarjes.



