Policia e Shtetit në kuadër të aksionit ‘Fijet’ në qarkun e Elbasanit ka çmontuar 37 kamera, ndërsa 10 persona janë aktualisht nën hetim.
Strukturat hetimore të DVP Elbasan, në kuadër të planit operacional mbarëkombëtar të koduar “Fijet”, si edhe mbështetur nga inteligjenca informative, për vendosjen e paautorizuar të disa kamerave në qytetet e Elbasanit, Gramshit dhe Peqinit, me qëllim sigurimin e informacioneve, për qëllime kriminale, si edhe për të monitoruar lëvizjet e Policisë, kanë organizuar punën për evidentimin dhe çmontimin e këtyre kamerave, identifikimin e pronarëve të këtyre kamerave, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të qëllimit të përdorimit.
Gjatë fazës së dhjetë kombëtare, të këtij plani operacional, në Elbasan, në lagjet “5 Maji”, “Sul Paprri”, “Syrja Dylgjeri” dhe “Çlirimi”, u çmontuan 28 kamera dhe u iniciuan hetimet e thelluara, në bashkëpunim me Prokurorinë e Elbasanit, për 5 shtetas, konkretisht për: D. Rr., I. B., H. B., K. Xh. dhe A. I.
Plani operacional ka vijuar në Gramsh, ku u çmontuan dhe u sekuestruan 4 kamera të vëna në kundërshtim me ligjin, dhe u iniciuan hetimet për shtetasit: R. D., S. Xh. dhe A. Ç., si dhe në qytetin e Peqinit, ku u çmontuan 5 kamera dhe u iniciuan hetimet për shtetasit H. Z. dhe E. Xh.
Kamerat e sekuestruara ishin vendosur pa lejen përkatëse të organeve kompetente. Vendosja e tyre është në kundërshtim me ligjin 9887, të datës 10.03.2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale” dhe përbën veprën penale “Ndërhyrje të padrejta në jetën private”, që parashikohet nga neni 121 i Kodit Penal.
Në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, vijon puna intensive për identifikimin e shtetasve që kanë instaluar këto kamera, si dhe për zbardhjen e plotë të qëllimit të vendosjes së tyre.



