Një tjetër rast i shitjes së lëndëve narkotike është zbuluar në fshatin Dhërmi, ku është arrestuar në flagrancë një 36-vjeçar.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, kanë finalizuar operacionin duke vënë në pranga shtetasin Eduard Piro, banues në Lushnjë.
Gjatë kontrollit të ushtruar ndaj automjetit tip “Volkswagen” që drejtonte 36-vjeçari në zonën e Dhërmiut, policia gjeti një sasi lënde të dyshuar narkotike Cannabis Sativa të ndarë për shitje.
Kontrollet kanë vijuar më tej në ambientin ku ai banonte në fshatin Drimadhë, ku janë zbuluar rreth 450 gramë Cannabis Sativa dhe një sasi lënde e dyshuar Kokainë, gjithashtu e ndarë në doza gati për shpërndarje.
Të gjitha sasitë e lëndëve narkotike u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin dhe celularin e përdorur nga i arrestuari.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Vlorës për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të mundshëm të përfshirë në aktivitet.



