
Një aksident rrugor është regjistruar në aksin Lushnjë–Berat, në zonën e Fiersheganit, ku një automjet tip “Golf” me gjashtë persona në bord është përfshirë në një ngjarje rrugore.
Sipas drejtuesit të mjetit, i cili po udhëtonte në drejtim të Beratit, i është bllokuar korsia përballë.
Në tentativë për të shmangur përplasjen, ai ka devijuar në krahun e djathtë të rrugës, ku është përplasur fillimisht me një mjet të parkuar dhe më pas është përmbysur.
Si pasojë e aksidentit janë dëmtuar të gjashtë personat që ndodheshin në automjet, mes tyre tre fëmijë. Të lënduarit janë transportuar në spital për ndihmë mjekësore.
Sipas informacioneve paraprake, gjendja e tyre është e stabilizuar dhe jashtë rrezikut për jetën.



