SPAK nën drejtimin e prokurorit Kreshnik Ajazi dhe agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit që në orët e para të mëngjesit të së dielës dhe gjatë gjithë ditës janë përqendruar në Elbasan.
Gazetarja Entela Duka raporton për MCN Live se, ky aksion vjen si rezultat i ekzekutimit të një vendimit të marrë nga GJKKO kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ku në epiqendër është krimi zgjedhor dhe grupet kriminale që mund të kenë patur ndikim.
Mësohet se është ushtruar kontroll në një biznes privat, lokal në Elbasan dhe tre banesa private. Ende nuk është mësuar se kujt i përkasin subjektet që janë pjesë e hetimit të SPAK.
Aksioni është i shtrirë në kohë që përfshin periudhën e fushatës zgjedhore, por edhe gjatë ditës së votimit, më 11 maj.
Ky aksion ende mbetet shumë enigmatik për subjektet e përfshira.
Janë marrë masa konkrete por në këtë fazë të hetimit pa dashur të zbulohen identitetet e kandidatëve, mbështetësve të tyre që kjo strukturë ka në fokus.
Bëhet fjalë për kandidatë të mazhorancës që edhe pse pa ndonjë kontribut të spikatur kanë mbledhur një sasi të konsiderueshme votash në Elbasan.
Gjatë aksionit janë sekuestruar aparate celularë, pajisje elektronike dhe DVR, pajisje që regjistrojnë zërin apo imazhin.
Mësohet se aksioni do të jetë i shtrirë në të shtatë bashkitë e Elbasanit.



