
Ekstradohet drejt Gjermanisë 24 vjeçari nga Taxhikistani i identifikuar si Komron Zukhurov.
Zukhurov njihet si kunati i ish-deputetit të PD Asllan Dogjani, ky i fundit njëherazi është dhe avokati i tij mbrojtës. I riu akuzohet si terrorist, pasi dyshohet se bën pjesë në organizatën ISIS.
24 vjeçari, nga Taxhikistani, është arrestuar në Tiranë nga Drejtoria e antiterrorit në bashkëpunim me Interpol Tirana.
Prej 17 Shkurtit ai ka qëndruar në Tiranë në banesën e Dogjanit. Ai u prangos nga anti-terrori si pjesëtar i ISIS i kërkuar nga Gjermania për akte terroriste ndërsa celula dyshohet se do të kryente aktivitet terrorist edhe në Shqipëri.
I riu ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Wiesbaden, Gjermani, pasi në ngarkim të tij, Gjykata Federale në Karlsruhe, Gjermani, më datë 21.04.2020 ka lëshuar urdhrin e arrestit ndërkombëtar, për veprën penale "Pjesëmarrje në një organizatë të huaj terroriste”, i dyshuar si anëtar dhe pjesëmarrës i kësaj organizate të huaj terroriste, e themeluar si celulë terroriste në Gjermani për të bërë xhihad në emër të shtetit islamik (ISIS).



