Piratët kompjuterikë të arrestuar nga policia e Tiranës përdornin ndjeshmërinë e njerëzve për tu marrë atyre paratë. Hetuesit kanë zbardhur skemën e mashtrimit që përdornin të ndaluarit.
“Me duhet x lekë, mos më pyet për çfarë e kam urgjente, do të të them në një moment të dytë. Mi nis në emër të x personi pasi nuk kam mundësi t’i marr vetë”, ishte një ndër tekstet e dërguara nga ata.
Falë mashtrimeve në rrjetet sociale, ata arritën që të përfitonin 38 mijë euro.
Shumë prej të mashtruarve mendonin se lekët po ia nisnin vëllait, motrës ose të afërmve te tyre, por ato përfundonin te grupi i mashtruesve.
Pasi bëhej pagesa, anëtarët e grupit dërgonin familjarët por dhe persona të njohur për të tërhequr lekët.
Drejtuesit e grupit përdornin persona të tjerë sepse kishin tërhequr para në mënyrë të përsëritur dhe nuk tërhiqnin dot prandaj duhej t’i tërhiqte dikush tjetër.
Ditën e djeshme, sektori për Krimet Kompjuterike në Policinë e Tiranës finalizoi operacionin “Transferta” ku u sekuestruan prova që faktojnë autorësinë e personave të përfshirë në këtë aktivitet të kundërligjshëm.
"Në kuadër të operacionit u kapën 9 shtetas, për të cilët u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës, e cila ka vendosur masën e sigurimit “Arrest në burg” në mungesë, për veprën penale “Mashtrim kompjuterik” për shtetasit: E. A., 29 vjeç, I. Q., 27 vjeç, A. M., 48 vjeç, A. T., 28 vjeçe, N. Sh., 21 vjeç, E. H., 33 vjeçe, A. Sh., 21 vjeç, A. A., 38 vjeç, të gjithë banues në Tiranë dhe për shtetasin E. P., 30 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Mashtrim kompjuterik” dhe “Ndërhyrje në të dhënat kompjuterike” - njoftoi policia e Tiranës.
Në kërkim është shpallur shtetasi E. K., 21 vjeç, banues në Tiranë, për të cilin Gjykata ka vendosur masën e sigurimit “Arrest në burg” në mungesë, për veprën penale “Mashtrim kompjuterik”.
Për një periudhë 1-vjeçare, të arrestuarit ndërhynin në llogari të ndryshme të rrjetit social Facebook dhe ndryshonin të dhënat e tyre, e më pas i përdornin për të komunikuar me miq të këtyre llogarive.</p>
Gjatë operacionit u sekuestruan 10 aparate celularë, 10 numra SIM Card, 3 pajisje elektronike, mandate pagese (tërheqjeje) që faktojnë aktivitetin kriminal të këtyre personave.



