
Emisioni investigativ italian “Le Iene” publikoi së fundmi një investigim mbi një rrjet mashtrimi që operonte nga Tirana përmes call center-ave, duke mashtruar shtetas nga vende të ndryshme dhe duke u kërkuar atyre investime financiare me vlera të konsiderueshme.
Grupi kriminal, ushtronte aktivitetin e tij në një nga kullat luksoze në kryeqytet, fakt që ka ngritur pikëpyetje të forta mbi mënyrën se si ky aktivitet i paligjshëm ka funksionuar për një kohë të gjatë në qendër të Tiranës.
Gazetari Xhevahir Zhabina, duke analizuar zhvillimet e kësaj ngjarjeje në një lidhje për “MCN Live”, u shpreh se fakti që call center-at operonin në kulla luksoze në zemër të kryeqytetit tregon se personat e përfshirë kishin marrë garanci për vazhdimin e aktivitetit të tyre.
Këta persona ishin në dijeni të një hetimi në vazhdim, por megjithatë kanë vazhduar aktivitetin, çka ngre dyshime serioze për mbështetje apo tolerim institucional.
Garancia kryesore për funksionimin e një aktiviteti të tillë i atribuohet Policisë së Shtetit, si institucioni përgjegjës për kontrollin e territorit.
Të zhvillosh një aktivitet që mashtron qytetarë evropianë dhe gjeneron dhjetëra milionë euro në muaj, pa pasur asnjë lloj garancie nga institucionet në Shqipëri, është pothuajse e pamundur.
Hetimi është iniciuar dhe çuar përpara kryesisht nga gazetarët investigativë italianë, ndërsa Prokuroria dhe Policia shqiptare kanë pasur shumë pak mundësi ose vullnet për të kryer hetime të thelluara gjatë periudhës 9–15 janar.
Hetimet nga SPAK vijojnë për zbardhjen e plotë të kësaj skeme mashtrimi dhe për identifikimin e përgjegjësive institucionale.



