Policia e Shtetit ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit ka identifikuar dhe arrestuar në flagrancë dy persona, ndërsa ka proceduar penalisht një tjetër, të dyshuar për tre raste zjarrvëniesh në Kavajë, Vorë dhe Mallakastër.
Në Kavajë është arrestuar shtetasi S. Ç., 51 vjeç, banues në fshatin Sterbeg, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr në një sipërfaqe toke në pronësi të tij. Si pasojë e përhapjes së flakëve janë dëmtuar kullota në këtë zonë, si dhe rreth 300 pemë frutore, mes tyre agrume dhe ullinj.
Në Vorë është arrestuar shtetasi A. D., 43 vjeç, banues në fshatin Gjokaj.
Sipas policisë, ai ka ndezur zjarr në një sipërfaqe toke në pronësi të një shtetasi tjetër, duke shkaktuar djegien e një sipërfaqeje të mbjellë me drufrutorë.
Ndërkohë, në Mallakastër është proceduar penalisht shtetasi O. B., 39 vjeç, banues në fshatin Levan.
Sipas hetimeve paraprake, gjatë tërheqjes me karrotrec të një automjeti të aksidentuar, janë krijuar shkëndija elektrike, të cilat janë përhapur dhe kanë shkaktuar djegien e dhjetëra pemëve të arrës në pronësi të një qytetari në fshatin Romës.
Materialet procedurale për këto raste i janë referuar prokurorive kompetente për veprime të mëtejshme.
Sipas Policisë së Shtetit, gjatë muajit qershor dhe dy javëve të para të korrikut 2026, janë arrestuar dhe proceduar 29 persona të dyshuar si autorë të zjarrvënieve.
Policia ka përsëritur apelin ndaj qytetarëve, fermerëve dhe pronarëve të kullotave që të mos ndezin zjarre në asnjë rrethanë, duke paralajmëruar se djegia e mbeturinave në toka bujqësore apo kullota është një praktikë e rrezikshme dhe e ndëshkueshme penalisht.
Sipas autoriteteve, zjarret e pakontrolluara mund të shkaktojnë dëmtime të rënda në pasuri, mjedis, shëndet dhe jetë njerëzore.



