
Policia e Shkodrës ka njoftuar se pas identifikimit të një rasti të kultivimit të kanabisit me llamba, ka arrestuar gjashë persona, dy prej tyre punonjës të OSHEE.
Në pranga kanë përfunduar: Gjergj Vasija; Kristjan Vasija; Prendë Vasija; Kristjan Nikolli; Ardjan Kovaçi dhe Andi Kapcari.
Me këtë rast janë sekuestruar100 kg kanabis, 187 rrënjë kanabisi, një pistoletë dhe 0.5 litra vaj kanabisi.
NJOFTIMI I PLOTË:
Shkodër
Goditet një tjetër rast i kultivimit të kanabisit me anë të llambave. Finalizohet operacioni policor i koduar “Bushati”. Zbulohen dy magazina që ishin përshtatur për kultivim të kanabisit, me anë të ngrohjes me llamba. Njëkohësisht, zbulohet edhe një ambient tjetër që shërbente për prodhimin e vazove plastike, aktivitet i paregjistruar në organet tatimore.
Sekuestrohen 100 kilogramë kanabis, llamba elektrike, ngrohësa, impiante kondicionerësh për pastrim ajri, termometra për matjen e temperaturës, 81 stabilizatorë elektrik, 187 kova plastike me pjesë bimësh narkotike cannabis sativa.
Sekuestrohet edhe një armë zjarri pistoletë me dy karikatorë e fishekë luftarakë. Vihen në pranga 6 shtetas, 2 prej të cilëve janë punonjës të OSHEE-së. Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e aktivitetit kriminal të kultivimit, prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative nga ana e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqet e Paligjshme, se një shtetas, në fshatin Mnelë të Bushatit, kultivonte bimë narkotike me anë të llambave, është organizuar dhe finalizuar operacioni policor i koduar “Bushati”.



