Finalizohet operacioni policor i koduar “Implikimi”, në kuadër të të cilit janë arrestuar provizorisht dy shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Italia dhe Spanja për vepra të ndryshme penale.
Operacioni u zhvillua falë koordinimit të informacioneve dhe veprimeve operacionale me partnerët ndërkombëtarë në Itali dhe Spanjë, me qëllim lokalizimin dhe kapjen e dy personave të kërkuar për trafikim të lëndëve narkotike, pjesëmarrje në organizatë kriminale, armëmbajtje pa leje dhe kanosje.
Specialistët e Seksionit për Mbështetjen Operacionale të Hetimit, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariateve të Policisë Shijak dhe Kavajë, finalizuan operacionin duke vënë në pranga dy shtetasit:
Enkelet Avduli, 46 vjeç, u arrestua teksa lëvizte me automjet në aksin rrugor Rrogozhinë–Peqin.
Ai ishte shpallur në kërkim nga autoritetet italiane, pasi Gjykata e Apelit e Bolonjës e ka dënuar me 7 vjet, 5 muaj dhe 9 ditë burgim për trafikim të lëndëve narkotike, armëmbajtje pa leje dhe kanosje.
S. K., 38 vjeç, u arrestua në fshatin Sukth i Ri.
Ndaj tij autoritetet gjyqësore në Madrid kanë caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale të trafikimit të lëndëve narkotike dhe pjesëmarrjes në organizatë kriminale me qëllim tregtimin e drogës.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet italiane dhe spanjolle, vijon procedurat ligjore për ekstradimin e dy shtetasve të arrestuar.



